Barazimi 0:0 ndaj Interit ka ndërprerë serinë pozitive të Juventusit sa u përket shënimit të golave në kampionatin italian të futbollit. Ishte pikërisht skuadra “neroaxurre” me në krye portierin Samir Handanoviç që ndërprenë serinë prej 44 ndeshjeve rradhazi së shënuari në “Serie A” nga ana e Juventusit.
Për herë të fundit që “Zonja e Vjetër” nuk kishte shënuar, kishte qenë ndeshja e 22 tetorit e vitit 2016-të, kur në “San Siro” kjo skuadër ishte mundur minimalisht 1:0 nga skuadra e Milanit.
Që nga ajo ndeshje, Juventusi kishte shënuar gjithmonë të paktën një gol në portën kundërshtare, një seri që mori fund sonte, kjo falë edhe pritjeve të portierit slloven, Handanoviç, i cili ishte padyshim ndër më të dalluarit në “Juventus Stadium”.