Ardian Cuculi dhe Besart Abdurrahimi karrierën e tyre mund ta vazhdojnë në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
Kërçovari Cuculi kërkohet nga Flamurtari i Vlorës dhe trajneri i tyre Shpëtim Duro, teksa Abdurrahimi bënë pjesë në planet e skuadrës së Partizanit.
Ky i fundit ka më shumë gjasa për të vazhduar karrierën në Shqipëri, duke pasur parasysh hapësirat e vogla që merrte te Shkëndija. Ai gjatë sezonit aktual në LPFM ka zhvilluar vetëm 11 ndeshje me fanellën e Shkëndijës, edhe atë që në të gjitha është inkuadruar si zëvëndësim, duke realizuar edhe 2 gola.
Abdurrahimi nuk plotësoi pritjet e stafit teknik të kuqezinjëve, ashtu që mundësitë e largimit të tij nga Tetova janë më të mëdha.
Megjithatë situata është më ndryshe me Ardian Cuculin, i cili përveç kontratës që ka me Shkëndijën, ai shihet si pjesë e formacionit tek i cili trajneri Qatip Osmani do të besojë edhe gjatë stinorit pranveror, ku Shkëndija ka rastin e mirë që pas 7 viteve të rikthejë titullin e kampionit në Tetovë.
“Kuqezinjtë” u shpallën kampion vjeshtor, edhe atë me plotë 14 pikë diferencë ndaj vendit të dytë, që mbahet nga Vardari. Shkëndija pas 18 xhirove të para grumbulloi 46 pikë, teksa Vardari 32 pikë, por duhet cekur se këta të fundit kanë edhe dy ndeshje më pak.