Futbollistët e Shkëndijës shkojnë në pushim të merituar me atmosferë pozitve si lider të renditjes tabelare në elitën e futbollit vendor. Për më tepër ata këtë gjysmëstinor e mbyllën me rekord të pikëve dhe golave të shënuar, gjithsej 55 gola në 18 ndeshje, apo mesatarisht nga 3.06 gola për ndeshje.
Ata në ndeshjen e fundit të pjesës së parë të sezonit 2017/2018 në Tetovë mundën Pelisterin me rezultatin 3:0, ndërsa të hënën në mbrëmje kryesia organizoi darkë të përbashkët me futbollistët, për ti përcjellë ata në pauzën dimërore.
Futbollistët “kuq e zi” do të jenë të lirë deri më 3 janar të vitit të ardhshëm, me atë që stafi teknik secilit futbollist i ka dhënë program pune që duhet të respektohet gjatë pauzës. Ekipi do të rikthehet në aksion në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, kur ditët e para do të kryhen matjet dhe testimet e zakonshme, ndërsa dy fazat kryesore do të zhvillohen në Ohër dhe Antalia të Turqisë.