Barcelona si gjithë skuadrat tjera evropiane që tani ka nisur të mendoj për transferimin e futbollistëve të rinj gjatë muajit janar. Drejtuesit “katalunas”, i kanë vënë syrin njëri prej futbollistëve më të përfolur në Brazil, Arthur, i cili është në pronësi të Gremio Porto Alegre.
Për shërbimet e tij përveç Barcelonës interesohen edhe shumë skuadra të tjera, por ka qenë vetë futbollisti që ka konfirmuar kontaktet e para me skuadrën spanjolle.
“Unë jam takuar me anëtarët e Barcelonës, por ne vetëm kemi biseduar dhe asgjë më shumë”, ka thënë Arthur, duke bërë me dije se për momentin nuk ka asnjë marrëveshje me “katalunasit”.
“Unë jam një futbollist i Gremios dhe deri sa nuk ka ndonjë marrëveshje me Barcelonën, unë jam këtu dhe do të qëndroj këtu”, – ka thënë më tej talenti brazilian.
Mesfushori 21-vjeçar Arthur Henrike Ramos de Oliveira Melo pjesë e ekipit të parë të Gremios është që nga viti 2015-të, ndërsa sezonin e fundit me këtë skuadër zhvilloi 27 ndeshje kampionale, duke realizuar edhe një gol.