Enis Bardhi ishte ylli i mbrëmjes në zgjedhjen e më të mirëve të Federatës së futbollit të Maqedonisë, jo vetëm për faktin se mori çmimin kryesor “Futbollisit më i mirë i vendit që luan në Europë”, por edhe për faktin se futbollisti i Levantes ishte personi më i kërkuar nga të pranishmit për ta uruar e për të jetësuar këtë moment me një fotografi. I determinuar për të arritur suksese kulmore, ndoshta edhe më të afërmit nuk kishin pritur këtë çmim në moshën vetëm 22 vjeçare.
“Ne nuk kemi një ofertë konkrete, mirëpo nëpër mediume kanë qarkulluar disa thashetheme të cilat disa prej tyre janë të vërteta. Ne tashmë kemi kontaktuar, jo që ne duam konkretisht të transferojmë Enisin, pasi është në ekipin e duhur dhe për Enisin është më e rëndësishme që ati të luajë në çdo ndeshje të La Ligës. Megjithatë, tashmë shumë skuadra janë duke ndjekur atë dhe mendoj që do ta bëjë hapin e rradhës shumë shpejt”, ka thënë mes tjerash në një intervistë të dhënë për TV Shenja menaxheri hungarez, Atilla Georgi, i cili së bashku me Meriton Berishën po menaxhojnë Enis Bardhin.
Ai ka komentuar edhe çmimin e dhënë nga ana e FFM-së për Badhin.
“Unë jam shumë i kënaqur dhe krenar me Enisin. Mendoj se e meriton këtë çmim jo vetëm si futbollist por edhe si njeri dhe normalisht mua si menaxher i tij më bën të lumtur pasi kjo është ajo për të cilën unë kam punuar. Nëse merr një fëmijë, e ndihmon atë dhe mundohesh ta drejtosh atë në rrugën e duhur dhe kur arrin në këtë shkallë mendoj se kam bërë zgjedhje të mirë dhe duhet të jem i lumtur dhe krenar për këtë”, ka thënë Georgi.
Intervistën e plotë me Atilla Georgi mund ta ndiqni në linkun më poshtë: