Në kryendeshjen e xhiros së 13 në La Liga, u regjistrua një episod, që në fund rezultoi deçiziv në përcaktimin e rezultatit. Bëhet fjalë për golin e anuluar të Lionel Messit, moment që mesa duket nuk do të harrohet lehtë, sidomos nga trajneri i Barçës, Ernesto Valverde.
Në konferencën për shtyp 53-vjeçari foli gjatë për golin e mohuar të argjentinasit, ndërsa deklaroi se i duket absurde që pavarësisht nivelit shumë të përparuar të teknologjisë, një gjë e tillë nuk aplikohet në kampionatin spanjoll.
Trajneri i ekipit katalanas pranoi se nuk e vuri re topin të kalonte vijën e portës, nga pozicioni ku ndodhej, por në çastin kur pa Mesin të festonte, e kuptoi shumë mirë që ishte gol. Për Valverden është tepër i vështirë për t’u kapërdirë fakti që një gabim i tillë ndodhi pikërisht në një ndeshje kaq të rëndësishme, por mbi të gjitha, sipas tij është absurde që arbitri nuk dalloi diçka kaq të qartë, episod për të cilin më pas u fol shumë dhe u dhanë shpjegime gjatë gjithë javës.
Trajneri i Barçës shtoi se niveli i arbitrimit në Spanjë është i mirë dhe pranoi se trajnerët do të vazhdojnë si gjithmonë të ankohen, ndërsa gjyqtarët në krahun tjetër do të vijojnë të gabojnë, pasi të drejtosh një ndeshje në këtë aspekt, për Valverden mbetet një gjë shumë e vështirë.