Skuadra kampione e Zvicrës, Bazeli ka dhuruar një nga surprizat më të mëdha të mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve Evropian, duke mundur Mançester Junajtedin me rezultatin minimal 1:0.
Edhe sonte rastin për të luajtur te “Djajtë e Kuq” e kishte Zlatan Ibrahimoviç, i cili u rikthye për të luajtur edhe në kompeticionin më të rëndësishëm evropian, të cilin nuk e ka fituar asnjëherë më parë.
Megjithatë prezenca e tij nuk solli edhe golin e shumë dëshiruar të skuadrës angleze, ndërsa një gjë të tillë vendasit e Bazelit e shfrytëzuan në momentet e fundit, kur në minutën e 89-të me anë të Lang shënuan golin e fitores.
Me këtë fitore, ekipi i Xhakës (mungoi për pezullim) dhe Ajetit (mbeti në bankinë), ka arritur në kuotën e 9 pikëve, po aq sa CSKA-ja e Moskës, që më herët me rezultatin 2:0 mundi Benfikën.
Bazeli ka bilanc më të mirë se CSKA-ja, ashtu që nëse fiton në ndeshjen e fundit ndaj Benfikës, do të siguronte kualifikimin për në fazën eliminatore.