Kristiano Ronaldo i ka vënë vetes një objektiv paksa të çuditshëm, mirëpo edhe të arritshëm, që ka të bëjë me fëmijë dhe “Topin e Artë”. Ai në një intervistë të dhënë për “L’Equipe”, ka thënë se dëshiron të ketë 7 fëmijë dhe po aq trofe të “Topit të Artë”.
“Jam shumë i lumtur që kam kaq shumë njerëz në krahun tim. Dëshiroja të kisha fëmijë. Për mua, një jetë pa fëmijë nuk është gjë. Dëshiroj të kem 7 fëmijë dhe po aq trofe të “Topit të Artë”. Ndërsa luaj do të provoj të fitoj gjithçka që mundem. Ëndrra ime është të fitoj “Topin e Artë” të pestë, ndërsa vitin pasardhës do të ketë diçka tjetër për të luftuar”, – është shprehur Kristiano Ronaldo.
Portugezi nuk e ka nisur aq mbarë këtë sezon, mirëpo nuk shqetësohet fare, pasi sipas tij edhe dy vitet paraprake ishte situatë e njëjtë.
“Kemi humbur rrugës ndonjë pikë në kampionat, por në Ligën e Kampioneve jemi mirë. Është vetëm fillimi i sezonit, na mbeten shumë ndeshje për t’u luajtur. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë të bëjmë punën tonë pasi mund të bëjmë më mirë. Nuk është faji im nëse topi nuk do të shkojë në rrjetë. Por kjo nuk më pëngon që të përgatitem në të njëjtën mënyrë, të kem të njëjtën etikë punë. Gjërat do të ndryshojnë, nuk shqetësohem. Njerëzit e tjerë shqetësohen më shumë se unë. Unë jam i qetë. Dy vite më parë ishte e njëjta situatë. Edhe vitin e kaluar. U përsërit edhe këtë herë”, – përfundoi Ronaldo.