Vazhdon “lufta e ftohtë” mes Xhiani De Biazit dhe Taulant Xhakës. Pasi tha se “De Biazi e ka mendjen te paratë, ndërsa unë vij në kombëtare për flamur”, Taulant Xhaka është goditur mbrëmë nga strategu italian, i cili në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut tha: “Nuk e deshi Zvicra, ndaj erdhi te Shqipëria”.
Në fakt, lojtarin në fjalë, De Biazi e ka shpallur me forcë si zbulim të tij, si pjesë e punës evidentuese, seleksionuese dhe menaxhuese të vetën, duke dhënë garanci se bëhet fjalë për një futbollist polivalent, që do t’i shërbejë shumë kombëtares në disa role.
Por, thyerja e konfirmuar haptazi pas ndeshjes me Italinë, kur mesfushori i Bazelit vendosi të kthehej në klub, meqë nuk i hynte në punë trajnerit kuqezi (nuk e llogariti fare në kualifikuesen me axurrët), duket se e ka bërë të pamundur vazhdimin e të dyve nën një “çati”.
FSHF-ja ka thënë se Xhaka i ka të hapura dyert e kombëtares, duke marrë në njëfarë mënyre anë në këtë debat. Një sinjal për De Biazin, se nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë, duke përzënë elementët cilësorë, të cilët Shqipëria i ka me pikatore. 60-vjeçari nga Sarmede tha në “Opinion”:
“Kthimi i Taulant Xhakës në kombëtare nuk varet nga unë, por nga sjellja e tij. Ai ka gabuar. Ka dhe episode te tjera, që nuk janë parë nga telekamerat, për të cilat nuk dua të flas, pasi dua ta mbroj figurën e tij. Unë jam 60 vjeç, nuk jam 26 si Taulanti”.
Mirëpo i shpejtë ka qenë edhe reagimi i futbollistit shqiptarë nga Kosova, Taulant Xhaka, i cili përmes profilit të tij zyrtarë në “Facebook” ka treguar me krenari origjinën e tij, përmes shenjave të gishtërinjve, sipas etapave të shënuara të historisë së kombit tonë, nën statusin: “Identiteti im…vazhdon”.