Argjentina pa Lionel Messin, është thjesht si pa identitet. “Gauçosët” sonte në miqësoren e zhvilluar ndaj Nigerisë pësuan disfatë me rezultatin 2:4, njofton “infOSport.mk”.
Një disfatë kjo turpëruese për kombëtaren e Sampaolit duke marrë parasysh këtu faktin që gjendeshin në avantazhin e dy golave.
Një gol i ardhur nga një gabim foshnjarak i portierit të Nigerisë do të hapte serinë e golave. Teksa loja zhvillohej rregullisht, portieri i Nigerisë kap topin me dorë jashtë zonës së tij, ndërsa arbitri tregoi goditje indirekte, të cilën në mënyrë perfekte e ekzekutoi Ever Banega, për të kaluar Argjentinën në epërsi në minutën e 27-të. Një super aksion i argjentinasve në minutën e 36-të solli edhe golin e dytë në rrjetën e Nigerisë, që u rikthye në lojë një minutë para fundit të pjesës së parë, kur përmes Ihenaços shënuan golin e parë në këtë përballje.
Që nga ky moment Argjentina u humb në fushën e blertë, ndërsa pikërisht pjesa e dytë vërtetoi mungesën e Lionel Messit, kur thjesht nigerianët vallzuan në fushën e blertë duke shënuar tre gola, dy prej të cilëve ishin pjesë e sulmuesit të Arsenalit, Aleks Ivobi, teksa një gol tjetër për Nigerinë realizoi Idovu.
Kjo disfatë ka shkaktuar shumë polemika në kampin e Argjentinës, kombëtare kjo e cila u kualifikua në Botëror vetëm në ndeshjen e fundit.