Kroacia me një këmbë në Botëror (VIDEO)

Kroacia ka shkëlqyer në takimin e parë të balotazhit ndaj Greqisë, e vlefshme për Botërorin “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”. Kombëtarja kroate shënoi fitore të thellë 4:1 në ndeshjen e zhvilluar në “Maksimir”, duke bërë me dije se për momentin janë skuadër shumë më e mirë se Greqia dhe se me meritë do të shkojnë në Botëror, në rast se një gjë të tillë konfirmojnë edhe në ndeshjen e kthimit të së dielës në Athinë.

Kapiteni Luka Modriç paralajmëroi fitoren e Kroacisë me golin e shënuar nga pika e bardhë në minutën e 13-të, pasi paraprakisht portieri Karnezis  ndali në mënyrë të palejuar në zonë sulmuesin e Milanit, Nikolla Kaliniç.

Nuk vonoi shumë dhe 6 minuta më pas ishte vetë Kaliniç, ai i cili shfrytëzoi një pasim të Striniç dhe nga afërsia shënoi për 2:0, ndërkohë Greqia në rastin e saj të parë në minutën e 30-të përmes Skoratis ngushtoi rezultatin në 2:1.

Mirëpo kroatët shumë shpejtë rikthyen epërsinë e dy golave, pasi në minutën e 33-të Perishiç nga afërsia më kokë shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e grekëve, ndërsa shpresat e tyre në këtë ndeshje i “varrosi” Kramariç me golin e realizuar në minutën e 49-të.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy kombëtareve në program është të dielën (12.11.) në Athinë.

Leave a Reply