Akademia Pandev shumë shpejt ka harruar disfatën në fundjavë nga Pobeda në kampionat, duke iu rikthyer fitoreve, kësaj rradhe në kuadër të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Pançe Stojanov sot në ndeshjen e parë çerekfinale në transfertë mundi Teteksin me rezultatin 2:0, duke hedhur kështu një hap të madh drejt gjysmëfinales dhe historisë së re të skuadrës nga Strumica.
Vetë kualifikimi në çerekfinale ishte një sukses i madh për këtë skuadër të re, e cila është në rrugë të mirë që këtë vit të shkruaj një histori të re në faqen e saj, ku përveç paraqitjeve të mira në kampionat, tashmë po bind edhe në ndeshjet e Kupës. Suksesi i tyre më i madh deri më tani në ndeshjet e Kupës ishte kualifikimi në 1/8 e finales gjatë sezonit të kaluar, kur ishin eliminuar nga FC Shkupi.
Ndryshe më të merituar për fitoren e sotshme në Tetovë ndaj Teteksit ishin Mishov (35’) dhe Baldovaliev (83’), ndërsa vlen të theksohet se skuadra nga Strumica nga minuta e 77-të luajti me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit të Atanasovskit (dy kartonë të verdhë).
Ndeshja e kthimit mes Akademia Pandev dhe Teteksit në Strumicë në program është me datë 29 nëntor.