Ndeshja e së dielës ndaj Skopjes në arenën “Filipi i Dytë” ishte ndeshja e 100-të jubilare për brazilianin Huan Felipe me fanellën e Vardarit, skuadër kjo e cila pas 3 ndeshjeve pa fitore, dje gjeti atë duke mundur skuadrën nga lagjia e Hekuranës me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Pikërisht braziliani Felipe ishte ai i cili hapi serinë e golave në këtë ndeshje, duke shënuar në minutën e 44-të, teksa përveç tij në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Maksim Maksimov dhe Xhigauri.
Ndeshja ndaj Skopjes ishte e 75-ta për të në kuadër të LPFM-së, 14 ndeshje ka zhvilluar në kuadër të garave evropiane, 8 prej të cilëve në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve dhe 6 në kuadër të Liga Evropa, 10 ndeshje ka zhvilluar në kuadër të Kupës dhe një në SuperKupën e Maqedonisë.
Ai deri më tani si pjesë e Vardarit ka shënuar gjithsej 24 gola, 6 prej të cilëve këtë edicion, duke mbajtur në këtë mënyrë epitetin e golashënuesit më të mirë te skuadra kampione në fuqi e Maqedonisë.