Disfata e sotme ndaj Bosnje e Hercegovinës në miqësoren e zhvilluar në “Elbasan Arena” ishte e 20-ta për Kombëtaren shqiptare nën drejtimin e strategut italian, Xhiani De Biasi, njofton “infOSport.mk”.
Trajneri i shumë përfolur ditëve të fundit në shtypin shqiptarë nuk po kalon momente të mira me Shqipërinë, e cila kombëtare sonte pësoi edhe disfatën e katërt me rradhë, që nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë që prej kohës kur ishte ulur në bankinën “kuq e zi”.
Për herë të fundit që Shqipëria ka shënuar fitore është 6 tetori i vitit 2016-të, kur në transfertë kishte mundur Lihtenshtejnin 0:2, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, shkruan “infOSport.mk”.
Që nga atëherë Shqipëria u mund nga Spanja (0:2), Izraeli (0:3) Italia (0:2) dhe Bosnja e Hhercegovina (1:2), ndaj së cilës kombëtare “kuqezinjtë” shënuan edhe golin e parë pas plotë 358 minutave.
Megjithatë edhe përkundër këtyre statistikave negative, De Biasi mbetet trajneri më i suksesshëm i huaj që ka udhëhequr Shqipërinë.
Nën drejtimin e tij kombëtarja shqiptare ka regjistruar 19 fitore, 11 barazim dhe 20 disfata, ndërsa gjithashtu arriti të shkruaj edhe historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në një eveniment të madh futbollistik, siç ishte Evropiani në Francë vitin e kaluar.