Futbolli i dha gjithçka. I dha emër, krenari, pasuri dhe mbi të gjitha shumë miq ane mbanë Botës, të cilët kanë respektin më të madh për të.
Fjala është për Lorik Canën i cili pasi i dha lamtumirën Kombëtares shqiptare, duke u nderuar nga ana e FSHF-së në ndeshjen e 09 tetorit ndaj Italisë, ai në ndeshjen derbi të së dielës midis Olimpikut të Marsejës dhe Paris Sen Zhermenit u nderua sërish, kësaj rradhe nga drejtuesit e Olimpik Marsejës, të cilët në këtë mënyrë u përshëndetën me dikur ish kapitenin e tyre, i cili megjithatë nuk preferon që djali i tij dy vjeçar Bojkeni të merret me futboll.
“Dëshira ime është që ai të bëhet tenist. Po sa të bëjë 4-5 vjeç, do ja marrë një reket dhe ta provojë. Do doja që të bëhej i pari shqiptarë në TOP100 të ATP-së. Ai më shumë luan me top me dorë se me këmbë. Ashtu që do e provoj në një sport tjetër” – u shpreh Lorik Cana, i cili gjithashtu foli edhe për mundësinë që një ditë ai të bëhet drejtues i një klubi futbollistik: “Pse jo, ndoshta do të duhet një kohë deri sa të arrijë deri aty. Igli është një udhërrëfyes për ta ndjekur. Për një kohë të shkurtë ka arritur që të korr suksese me një klub të madh. Do të kërkoja ndihmën e tij dhe më pas besoj se do arrijë të bëjë një punë të suksesshme si ai, qoftë te Olimpiku i Marsejës, apo edhe Galatasaraji. Janë këto dy skuadrat e mia që preferoj të punoj në të ardhmen” – u shpreh për Supersport, Lorik Cana.