Sot në mbrëmje në “Elbasan Arena” në program është ndeshja midis Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit, ndeshje kjo e vlefshme për fazën në grupe të Liga Evropa.
Gjithë ata që do të ndjekin ndeshjen përmes ekraneve televizive me siguri se do të kenë mundësi ta dëgjojnë shumë herë në koment emrin Nemanja Miletiç.
Nuk është ky lojtari më i rrezikshëm i Partizanit të Beogradit, por ka diçka shumë të veçantë në këtë rast. Janë dy lojtarë të ekipit serb me të njëjtin emër dhe mbiemër.
Të dy konsiderohen titullarë dhe të dy luajnë në mbrojtje, kështu që për komentatorët nuk është problem, nëse ngatërrohen ndonjëherë.
Njëri luan në qendër të mbrojtjes dhe tjetri në të majtë, janë aty pranë. Në Serbi i dallojnë, duke vënë në mes të emrit dhe mbiemrit gërmën e parë të atësisë: Nemanja R.Miletiç dhe Nemanja G.Miletiç, por si do ti dallojnë komentatorët e Supersport, ajo mbetet të shihet.