Të dielën në Francë do të takohen Marsej me Paris Sen Zhermenin. Përveç përballjes së nxehtë që pritet të jetë në fushë, për shqiptarët do të jetë më e veçant një pjesë tjetër e kësaj sfide, pasi Lorik Cana do të luajë topin e parë nga mesi i fushës së lojës.
Ish-kapiteni i kombëtares, njëkohësisht edhe ish-lojtar me të dyja ekipet, Cana do të zhvillojë kështu edhe një ceremoni në “Velodrome”, për të shënuar kështu mbylljen e karrierës. Ish-kapiteni tashmë i tërhequr nga futbolli, e nisi karrierën e tij tek ekipi B i PSZH-së në vitin 2000, për të kaluar më pas në sezonin 2002 drejt ekipit të parë, ku qëndroi për tre vite. Më pas, ai kaloi tek klubi i Marsejit, ku qëndroi plot katër vite.
Karriera e Canës përmban edhe skuadra të tjera me peshë, si Sanderlend, Gallatasaraj e Lacio. Kujtojmë që në ndeshjen kundër Italisë në “Loro Boriçi”, Lorikut iu rezervua edhe një ceremoni nga FSHF për të shënuar mbylljen e karrierës së tij me kombëtaren shqiptare.