Partizani ka shënuar fitore 2:1 në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndaj skuadrës së Pelisterit nga elita e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen e zhvilluar në Kamzë, të përzgjedhurit e trajnerit italian Mark Iuliano u treguan më të suksesshëm dhe më këmbëngulës për të arritur deri tek fitorja, e cila mund të rezultonte në fund edhe më nje rezultat më të thellë, në rast se Emiliano Vila në minutën e 66-të ishte i saktë nga pika e bardhë.
Ndryshe ishte Pelisteri skuadra që shënoi e para në këtë përballje me anë të Hristijan Dragarskit në minutën e 22-të, teksa Batha në minutën e fundit të pjesës së parë bëri që skuadrat në pushim të shkojnë me rezultatin e barabartë 1:1. Për fitoren e Partizanit në këtë përballje miqësore u përkujdes sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj në minutën e 52-të, kur nga brendia e zonës me të majtën e tij shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Marko Jovanovskit.
Edhe Iuliano, edhe Zaharievski këtë ndeshje e shfrytëzuan për të ju dhënë mundësinë edhe disa futbollistëve të rinj dhe atyre që po marrin më pak minutazh gjatë ndeshjeve kampionale, ku besohet se kanë çfarë të eksperimentojnë me ta gjatë ndeshjeve në vijim të kampionateve përkatëse, ku Partizani do të kërkoj fitoren e parë në kampionat, kur në kuadër të javës së 5-të do të luaj ndaj Teutës në transfertë, teksa Pelisteri në LPFM do të mundohet që të ndërpresë serinë prej 6 ndeshjeve pa fitore. Për herë të fundit që skuadra nga Manastiri kishte shënuar fitore, kishte qenë 26 gushti, kur në transfertë kishte mundur Sileksin me rezultatin 4:1, teksa kësaj rradhe do të mundohet të bëjë një gjë të tillë në ndeshjen derbi të Pelagonisë ndaj Pobedës.