Përfaqësuesja e Maqedonisë del me një pikë shumë të vlefshme nga stadiumi “Olimpiko” i Torinos, pasi të përzgjedhurit e Igor Angellovskit mbyllën ndeshjen me barazim 1:1 ndaj Italisë së madhe.
Loja e mirë dhe përkushtimi i madh në fushë, më në fund gjeti rezultatin. Atë që Maqedonia nuk arriti të merr në Shkup, e shkëputi në Torino, me Aleksandar Trajkovski i cili nuk e la që italianët t’iu gëzohen tri pikëve me golin e vetëm të Kelinit të shënuar në minutën e 40-t, pasi 25 vjeçari barazoi shifrat në të 77-tën për shifra 1:1, që nuk ndryshuan deri në fërshëllimën e fundit të arbitrit kryesor.
Përveç golit, përfaqësuesja e vendit zhvilloi ndeshje të mirë në përgjithsi, me Bardhin e Alioskin që bënin diferencën në fushë, duke mos harruar kështu dy mbrojtësit fantastik Musliun dhe Vellkovskin.
Gjithsesi pika e marrë në Torino nuk ka luajtur rol në renditjen tabelare, me Maqedoninë që vazhdon të mbetet në vendin e 5-të në grupi ‘G’, ndërsa në ndeshjen e fundit të këtij cikli eliminator do të përballet me Lihteshtejnin në Strumicë.