Atmosferë e mirë te përfaqësuesja e Maqedonisë para ndeshjes me Italinë (VIDEO)

Një atmosferë e mirë po vërehet në taborin e përfaqësueses së Maqedonisë para ndeshjes së nesërme ndaj Italisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Ata mëngjesin e sotëm kishin stërvitjen e parë, ku për së afërmi u njohën me fushën e stadiumit “Olimpiko” në Torino, aty ku të premten do të zhvillojnë edhe ndeshjen e dytë kundër “axurrëve”, ndaj të cilëve në ndeshjen e parë humbën me rezultatin 2:3, shkruan “infOSport.mk”.

Në atë ndeshje Maqedonia kishte një paraqitje shumë të mirë, ku madje në një moment falë golit të Ferhan Hasanit, avansonte me reuzltatin 2:1, por që përvoja e madhe e italianëve erdhi në shprehje në çastet e fundit të takimit, kur edhe siguruan fitoren mjaft të vështirë në Shkup.

Bazuar në atë ndeshje, mirëpo edhe në paraqitjet e mira gjatë vitit 2017-të, ku nga gjithsej 6 ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjet miqësore ndaj Bjellorusisë (3:0) dhe Turqisë (0:0), ku Maqedonia ka të regjistruara 3 fitore dy barazime dhe vetëm një disfatë, edhe atë kundër Spanjës (1:2) në Shkup, ekziston një farë shprese se nesër mbrëma nga Torino mund të dalin kokëlartë.

Kjo edhe për faktin e formës së mirë nëpër të cilën po kalojnë futbollistët kryesor të skuadrës, si Bardhi, Alioski, Nestorovski, të cilët shihen si aduti kryesor për të shënuar në rrjetën e Bufon.

Ndeshja Itali – Maqedoni zhvillohet nesër mbrëma në “Olimpiko” me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply