Bardhi vlerëson sfiduese përballjen me Italinë

Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë nga dita e djeshme është vendosur në Torino ku të premten përballë Italisë së fortë do të zhvillojë ndeshjen e parafundit të eliminatoreve për kualifikim në Kampionatin Botëror “Rusi 2018”. Sfida me katër herë kampionët e botës është motiv i madh për të gjithë futbollistët e Maqedonisë, të cilët përkundër faktit se janë të vetëdishëm për vështirësinë që bart kjo përballje, gjithsesi janë të bindur për të dhënë më të mirën për të kërkuar befasi dhe rezultat pozitiv.

“Italia është përfaqësuese që e njohin të gjithë dhe çdo fjalë nga ana ynë do të ishte e tepërt. Katër herë kampione e botës, përfaqësuese me histori të pasur, traditë të madhe në futboll dhe me lojtar të klasit më të lartë botëror që me klubet dhe përfaqësuesen e tyre kanë fituar gjithçka në futbollin europian dhe botëror. Mirëpo ne nuk jemi këtu për tu dorëzuar para kohe. Italia është sfiduese për çdo rival, edhe për përfaqësueset më të forta që garojnë kundër tyre, gjithsesi edhe për ne që kemi mundësi të dëshmojmë vlerat tona”, shprehet Enis Bardhi enkas për ‘infosport’, sipas të cilit ndeshjet e këtilla nuk duan motiv shtesë.

“Motivi ynë kryesor është vetë shansi për të bërë më të mirën përballë më të mirëve. Kemi zhvilluar ndeshje shumë pozitive dhe tani hyjmë me dëshirë për tjetër performansë të mirë. Secili që do të ketë rastin të luajë do të japë më të mirën dhe uroj që kjo të mjaftojë për rezultat pozitiv”.

Bardhi pritet të jetë një prej bartësve të mesfushës së Maqedonisë në përballjen e të premtes kundër Italisë në Torino./ InfOSport.mk

Leave a Reply