Alvaro Morata do ti mungojë Çelzit për rreth gjashtë javë për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen e fundit kampionale kundër Mançester Sitit, në të cilën ndeshje kampionët në fuqi të Anglisë pësuan disfatë me rezultatin 1:0.
Trajneri Antonio Conte ka një vlerësim të madh për sulmuesin spanjoll ndaj do t’a ketë të vështirë mungesën e tij.
Federata Spanjolle e Futbollit ka njoftuar se Morata ka një dëmtim të shkallës së dytë dhe se do t’i duhet të rikuperohet gjithë muajin tetor dhe gjysmën e nëntorit.
Sulmuesi spanjoll në këtë mënyrë do të humbasë ndeshje të rëndësishme në Ligën e Kampionëve Evropian ndaj Romës, ndërsa përveç përballjeve ndaj Kristal Pallas, Uatford, Everton dhe Burnemaut, ai me shumë gjasa do të humb edhe ndeshjen ndaj Mançester Junajtedit.
Kësisoj teknikut italian i ka mbetur të shpresojë te Miçu Batshuaj. Spanjolli 24-vjeçar po kalonte një moment mjaft të mirë në Premierligë, teksa u përshtat shumë shpejt me ekipin e ri ku në 10 ndeshje arriti që të shënojë 7 gola.