FC Shkupi ka nisur në mënyrë më të mirë sezonin e ri 2017/18 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, duke regjistruar katër fitore, tri barazime dhe dy disfata, në të cilat kanë shënuar 11 gola dhe 9-të kanë pranuar. Padyshim se për këtë ecuri të mirë, i kënaqur ka ngelur edhe presidenti i FC Shkupit, Omer Bunjaku, i cili në një deklaratë për ueb sajtin zyrtar të klubit ka shprehur lëvdërata për futbollistët dhe stafin drejtues.
“Padyshim se në fillim të sezonit të gjithë kishin mendimin se Shkupi këtë sezon do të jetë favorit kryesor për rënie nga kategoria e parë dhe me shumë skepticizëm e konsideronin çdo pikë që merrnim nga ndeshja në ndeshje. Por duke u munduar që të sjellim futbollistë që do të bëjnë ndryshim, ndërsa e gjitha e realizuar dhe planifikuar në konsultim të drejtorit sportiv dhe kapitenit tonë Suat Zendeli dhe trajnerit Ardian Nuhiu, formuam një grup lojtarësh që tani para secilës ndeshje futet me ambicie të qarta për të marrë maksimumin. Kjo padyshim se ka bërë që Shkupi të jetë ekip shumë i respektuar nga të gjithë dhe ne mendojmë se nga ndeshja në ndeshje do të jemi edhe më të fortë. Sigurisht se këtu rol të madh luajnë edhe futbollistët, të cilët fillimisht ata të cilët janë në klub dhe të tjerët që vijnë, formojnë brenda grupit ambient familjar dhe më pas edhe në fushë ajo pasqyrohet me arritjen e suksesve”, ka thënë presidenti i FC Shkupit, Omer Bunjaku.
Shkupi aktualisht renditet në pozitën e katërt në tabelën e LPFM-së me 12 pikë të tubuara, ndërsa nesër do të luaj si mysafirë ndaj Vardarit në “Filipi i Dytë”.