Pelisteri është sfida e rradhës për Shkëndijën që kërkon vazhdimin e marshimit të sigurtë në elitën e futbollit vendor për të mbrojtur vendin e parë në renditje edhe atë pa asnjë humbje në kuadër të raundit të parë të garave në elitën e futbollit vendor.
Me ndeshjet e sotme mbyllet raundi i parë nga gjithsej 4 raundet me nga 9 ndeshje në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, ku këtë vit Shkëndija pretendon të rikthejë titullin e kampionit në Tetovë.
Pas 8 xhirove të para Shkëndija ka arritur 7 fitore dhe vetëm një barazim, edhe atë në teren vendas përballë Pobedës, kur kishte barazuar me rezultatin 3:3.
Ritmin e rezultateve pozitive dhe të fitoreve të njëpasnjëshme Shkëndija dëshiron ta vazhdojë edhe në Manastir në përballjen ndaj Pelisterit, ndaj së cilës skuadër pretendon një fitore të rradhës, që në një farë mënyrë do të ishte si një lloj hakmarrjeje për atë disfatë të edicionit të kaluar në ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë.
Një fitore ndaj “Të gjelbërve” nga Manastiri do të bënte realitet dëshirën e skuadrës tetovare që të mbyllte pa asnjë disfatë raundin e parë të garave, duke pasur parasysh se pas dy javësh ata do të jenë mysafir të Vardarit në Shkup, pretendentit kryesor për titullin e kampionit.