Edis Maliqi po zhvillon një sezon të shkëlqyeshëm me fanellën e FC Shkupit këtë edicion. Futbollisti i krahut të djathtë është i pazëvendësueshëm në pozitën e tij, duke u shndëruar në një futbollist shumë me vlerë në ekipin e Ardian Nuhiut. Ai është njëri prej 6 futbollistëve të FC Shkupit që ka zhvilluar të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, ndërsa është i gatshëm edhe për ndeshjen me Pelisterin, ndaj së cilës skuadër ka respekt maksimal, mirëpo thotë se edhe kësaj rradhe pikët do të mbesin në Çair.
“Ndeshja e të mërkurës do të jetë e një rëndësie të madhe për ne nga fakti se luajmë ndeshjen e fundit në Çair në përfundim të fazës së parë. Fillimisht do të shfrytëzoj rastin që të ftojë në numër sa më të madh publikun edhe pse e mërkura është ditë pune, që së bashku të krijojmë atmosferë të mirë dhe të arkëtojmë pikë të reja me të cilat do të ruajmë pozitën në pjesën e epërme të tabelës. Sigurisht se Pelisteri është skuadër e fortë dhe nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga viti i kaluar. Ne kemi thënë se respektojmë të gjithë kundërshtarët dhe i mirëpresim në Çair, por në fushë futemi me ambicie të qarta për të arkëtuar tri pikë të radhës”, është shprehur Edis Maliqi për faqen zyrtare të klubit.
Ndeshja Shkupi – Pelisteri në stadiumin e Çairit starton në ora 15:30, ndërsa do të drejtohet nga arbitri kryesor, Stojançe Trpçevski nga Kavadari, të cilit do ti ndihmojnë dy arbitrat shkupjan, Igor Shirilov dhe Nikolla Bozhinovski.