Sonte në mbrëmje rikthehet magjia e Ligës së Kampionëve me ndeshjet e xhiros së dytë në grupet E, F, G, H. Dueli më interesant i mbrëmjes është ai mes Borusia Dortmundit dhe kampiones në fuqi të Evropës, Real Madridit.
Këta të fundit po vuajnë në kampionatin spanjoll ku po kalojnë një krizë rezultatesh, teksa në anën tjetër Dortmundi po përjeton momente magjike në Bundesligë. Përveç këtij takimi, në grupi “H” sonte në program është edhe ndeshja midis APOEL dhe Totenhamit, me miqtë dukshëm më të favorizuar.
Në grupin “E”, Sevilja nuk pritet që të ketë shumë probleme ndaj Mariborit të Valon Ahmedit, ndërkohë që Liverpulli i Jurgen Klop do të luajë në transfertë ndaj Spartakut të Moskës në kërkim të 3 pikëve të para, në një grup të ekuilibruar deri më tani me të gjitha ekipet me nga 1 pikë.
Në grupin “F”, Mançester Siti që po shkëlqen në Premierligën angleze është gati për një tjetër goleadë, pasi do të presë në shtëpi Shahktarin, ndërkohë që Napoli i frikshëm kërkon 3 pikët e para në shtëpi ndaj kampionëve në fuqi të Holandës, Fejenordit.
Në grupin “G”, Beshiktashi pas asaj ndeshje të rëndë në kampionat ndaj Fenerbahçes, do të ketë sërish një test të rëndë, kësaj rradhe ndaj gjermanëve të Lajpcigut, ndërkohë që Monako dhe Porto synojnë 3 pikët e para në këtë sezon në fazën e grupeve.