Arbin Zejnullai me shokë të gatshëm presin debutimin në Ligën e Kampionëve (VIDEO)

Shkëndija U19 të mërkurën do të bëjë debutimin në ndeshjet e Ligës së Kampionëve në kuadër të raundit të parë të eliminatoreve për UEFA Youth League, ku për kundërshtarë do të ketë skuadrën e Nitras nga Sllovakia, njofton “infOSport.mk”.

Në prag të këtij takimi ka folur edhe Arbin Zejnullai, një futbollist shumë i talentuar që në bagazhin e tij ka të zhvilluara ndeshje evropiane, madje me ekipin e parë të Shkëndijës, ku kishte arritur që të shënojë edhe një gol, atë përballë Daçias nga Moldavia.

Prezenca e tij në skuadrën e të rinjëve pa dyshim se do të jetë një ndihmesë e madhe për ekipin U19 të “kuqezinjëve”, të cilët shpresojnë të kthehen me rezultat pozitiv nga ndeshja e parë në transfertë.

“Siç e dimë Shkëndija për herë të parë po merrë pjesë në një kompeticion evropian për të rinj dhe është një sukses shumë i mirë për klubin, për gjithë mund të themi edhe për Tetovën dhe gjithë banorët. Të them të drejtën është një kënaqësi të luash në një kompeticion evropian. Atmosfera në klub është shumë e mirë, të gjithë futbollistët janë të entuziazmuar që do të luajnë të them një ndeshje evropiane dhe shpresojmë të kemi një rezultat pozitiv” – tha Arbin Zejnullai për kanalin zyrtarë të klubit.

Sipas tij ndeshjen kundër kampionëve të Sllovakisë, Shkëndija duhet ta marrë si një ndeshje të rëndomtë dhe se nuk duhet patur aspak frigë.

“Vetë fakti se edhe ata janë kampion të Sllovakisë nuk do të jetë edhe aq lehtë, mirëpo nuk duhet edhe të frigohemi. Duhet ta marrim si një ndeshje të rradhës, nuk duhet ta shikojmë si diçka të pamundur. Duhet thjesht ta marrim si një ndeshje të rradhës dhe të shkojmë të përgatitur maksimalisht, të japim maksimumin të gjithë dhe shpresoj në rezultat pozitiv” – u shpreh Zejnullai.

Ndeshja e parë midis Nitras dhe Shkëndijës në program është të mërkurën, të njëjtën ditë kur ekipi i parë do të zhvillojë derbin lokal ndaj Renovës.

Leave a Reply