“Problematiku” Nejmar nuk do të luaj në ndeshjen e javës së 7-të kundër Monpeljes. Ylli brazilian nuk është grumbulluar nga ana e trajnerit Unaj Emeri, ndërsa lidhur me mungesën e tij nuk ka ndonjë kumtesë zyrtare nga ana e klubit parisien.
Thuhet se një veprim i këtillë i marrë nga ana e trajnerit Emeri mund të jetë si ndëshkim për zënkën që pati me Kavanin rreth asaj se kush do të gjuaj penaltitë apo gjuajtjet e lira në ndeshjen me Lionin.
Spas “Radio Montecarlo”, një hap i këtillë ka të bëjë me një sanksionim ndaj Nejmarit për shkak vendimit të tij të vizitojë Londrën dhe të jetë pjesë e një parti.
Ndërkohë sipas disa mediave të tjera në Francë, Nejmar është lënë jashtë grupit me qëllim, pasi kishte ndjerë dhimbje në këmbë. Kësisoj trajneri Emeri kishte preferuar që të lë të lirë futbollistin brazilian, me qëllim që ai të jetë i gatshëm plotësisht për super ndeshjen në Ligën e Kampionëve kundër Bajernit të Munihut, ndeshje kjo që në program është me datë 27 shtator.
PSZH po shkëlqen në kampionatin elitar francez, ku në 6 javët e para ka arritur po aq fitore me një gol averazh 21:3.