Enis Bardhi sonte ka folur pa doreza lidhur me faktin se pse i njëjti nuk luan me Shqipërinë, por me Maqedoninë. Ai në një lidhje të drejtëpërdrejtë në SuperSport, tregoi arsyet dhe ndoshta edhe “fajtorin” kryesor që ai sot nuk është pjesë e Kombëtares së zemrës.
“Unë gjithmonë kam tentuar që të jem pjesë e Shqipërisë, që nga mosha 16-vjeçare, mirëpo asnjëherë nuk kam pas një ofertë të këtillë nga ana shqiptare. Ka qenë një kontakt me një një kosovar, mirëpo nuk ka qenë asgjë serioze, pasi ky njeri që më tha se është përgjegjës për talentët nga Presheva dhe Maqedonia, më tha se Redi Jupi nuk më njeh, edhe pse unë asaj kohe isha pjesë e Ujpeshtit dhe thuajse vazhdimisht asistoja dhe shënoja gola. Ai më tha se duhet të vi në Shqipëri për tu takuar me Jupin, i cili do të më ftonte në prova për një javë. Mirëpo asaj kohe unë duheshe të vendos për një ftesë nga ana e reprezentacionit A të Maqedonisë. Madje edhe menaxheri im Meriton Berisha ka kontaktuar në atë periudhë me Redi Jupin, duke pasur parasysh se Berisha njihej personalisht me atë që nga koha kur luante bashkë me Jupin te Dinamo. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti, Jupi u tregua shumë jo profesional, madje duke fshirë numrin e Berishës dhe duke mos u përgjigjur asnjëherë në telefonatat e menaxherit tim” – tha Enis Bardhi në një lidhje të drejtëpërdrejtë nga Valencia për emisionin “Zona Gol” në SuperSport.