Slovenia është kampionja e re e Evropës në basketboll, pasi sonte në finalen e madhe të zhvilluar në palestrën “Sinan Erdem Dome” në Stamboll mundi Serbinë me rezultatin 93:85, shkruan “infOSport.mk”.
Është ky titulli i parë për Sloveninë në një event të këtillë, ku më i merituar ishte kapiteni Dragiç, i cili shkëlqeu edhe në finalen e madhe, duke realizuar plotë 35 pikë. Ky titull u takoi slovenëve me plotë meritë, duke pasur parasysh se deri te ai arritën pa asnjë disfatë, duke shënuar 9 fitore, nga po aq ndeshje.
Në anën tjetër më i spikatur te kombëtarja e Serbisë ishte Bogdanoviç që realizoi 22 pikë.
Ndryshe çereku i parë nuk paralajmëroi një fitore të Slovenisë, pasi ishin serbet që e mbyllën atë në favorin e tyre me rezultatin 22:20, mirëpo gjithçka ndryshoi në periudhën e dytë, kur basketbollistët sloven u tejkaluan dhe e mbyllën këtë periudhë me rezultatin 36:25.
Pikërisht këtu u vendos edhe fituesi, pasi 11 pikët dallim bënë diferencën, që në fund rezultoi 8 pikë për Sloveninë, 93:85.
Rikujtojmë në finalen e vogël, të zhvilluar më herët gjatë ditës së sotme, Spanja me po të njëjtin rezultat, 93:85 mundi Rusinë, duke rrëmbyer në këtë mënyrë medaljen e bronzit.