Të shtunën në Han të Elezit në Kosovë në organizim të klubit të mundjes “Sharri” dhe Federatës së mundjes së Kosovës, për nder 29 Gushtit Ditës së Dëshmorëve në Han të Elezit u mbajt turneu i parë Mbarëkombëtar në mundje për pionier, shkruan “infOSport.mk”.
Në këtë turne morrën pjesë rreth 100 mundësa nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, që u përfaqësua nga KM Liria dhe KM Tefejuz.
KM Liria me tetë medalje individuale, 4 prej të cilave të arrit, dy të argjendta dhe dy të bronzit, përfundoi si e dyta e turneut, menjëherë pas organizatorëve të KM Sharri.
Me medalje arri u stolisën Omer Memedi (35 kg), Besir Alili (42 kg), Muhamed Feruki (47 kg) si dhe Muhamed Ramadani (85 kg), me medalje të argjendta u stolisën Abdulla Xhemaili (29 kg) dhe Omer Feruki (42 kg), teksa të bronztë ishin Halit Saliu (29 kg) dhe Ermal Ramani (73 kg), njofton “infOSport.mk”.
Për dallim nga KM Liria, klubi tjetër shkupjan pjesëmarrës në këtë turne, KM Tefejuz për në kryeqendrën tonë u rikthye me 4 medalje, 3 prej të cilave ishin të arta dhe 1 e argjendtë, duke u renditur kështu në vendin e tretë me 16 pikë, 13 më pak se Liria e vendit të dytë.
Aid Salihasi (50 kg), Artan Xhoni (38 kg) dhe Besar Ameti (32 kg) fituan medalje ari, teksa i argjendtë rezultoi Rexhep Ajdari në kategorinë 58 kg.
Vlen të ceket gjthashtu se mundësi i Lirisë, Besir Alili (42 kg) u shpall si tekniku më i mirë i turneut, ndërsa Urim Qahili (59 kg) nga Kosova u shpall si mundës më i mirë i turneut nga ana e organizatorëve, të cilët kaluan testin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pasur parasysh se ishte ky turneu i parë i organizuar për fëmijë “Dëshmorët e kombit – Hani i Elezit”.