Kampionët e gjeneratës U17 të Maqedonisë, FC Shkupi është mposhtur me rezultat 4:1 në ndeshjen e parë miqëosore nga Fenerbahçe U21 të zhvilluar në Stamboll të Turqisë. Të përzgjedhurit e trajnerit Erkan Murseli zhvilluan një lojë të mirë edhe përkrah humbjes, me sulmuesin Musli Lika që rezultoi të jetë më i miri në këtë përballje, ndërsa golin e vetëm për FC Shkupin e shënoi Besnik Ferati, me një gjuajtje precize nga një distancë e largët prej 20 metrave.
“Sigurisht se ndeshja nuk ishte e balancuar për faktin se luajtëm me U21 të Fenerbahçes, por në përgjithësi djelmoshat e mi treguan lojë të mirë dhe të disiplinuar, por duke mos arritur që të shfrytëzojnë rastet që krijuan. Mendoj se kjo është një përvojë e mirë për ne dhe besoj që ky ekip ka djelmosha shumë të talentuar për të cilët do të flitet në të ardhmen e afërt për suksese të reja. Nesër luajnë ndeshjen e dytë dhe shpresoj që të tregojmë lojë të mirë në këto miqësore luksi”, ka thënë Murseli.
FC Shkupi U17 ndeshjen e dytë miqësore ndaj Fenerbahçes e luan sot nga ora 10:30.