Albert Bunjaki do të mbetet seleksionues i përfaqësueses së Kosovës deri në fund të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”.
Ky vendim është bërë i ditur sot nëpërmjet një konference të mbajtur për media nga ana e presidentit të federatës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Numri një i futbollit kosovar tha se Bunjaki do të mbetet në krye të përfaqësueses së Kosovës edhe në dy ndeshjet e fundit eliminatore, kundër Ukrainës dhe Islandës dhe se pas mbylljes së këtij cikli do të kërkojnë një trajner të ri.
“Pas këtyre ndeshjeve do t’i nisim kërkimet tona dhe nuk përjashtojmë asnjë mundësi për trajnerin e ardhshëm. Ai mund të jetë vendor, por mund të jetë edhe i huaj” – u shpreh Vokrri.
Gjithashtu numri një i FFK-së ka bërë të ditur se Bunjaki i ka ofruar dorëheqjen nga tani, mirëpo federata e ka refuzuar.
Kujtojmë që më herët si kandidat të mundshëm për postin e trajnerit në përfaqësuesen e Kosovës janë përfolur emrat e Ardian Koznikut dhe strategut nga Bosnja, Safet Susiq, mirëpo gjithsesi se është e mundur që të dalë edhe ndonjë emër tjetër në horizont.