Seleksionuesi i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi në konferencën për shtyp të organizuar me gazetarë tha se barazimi 1:1 ishte epilogu më real në takimin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ai pranoi se në pjesën e parë skuadra e tij nuk luajti mirë dhe se pikërisht në fillimin e pjesës së dytë erdhën ato dy zëvendësime të bëra.
“Në pjesën e parë nuk ishim në nivelin e duhur, me ç’rast në pjesën e dytë vendosa të bëjë ato dy zëvendësime. Ato dhanë rezultat pasi në pjesën e dytë shumë shpejtë realizuam gol, që më pas Sadiku të ketë edhe një rast shumë të mirë për të mbyllur takimin. Pranuam gol nga pika e bardhë, ndërsa kah fundi i takimit Maqedonia mund të shënonte edhe fitore. Në fund mendoj se barazimi është epilogu më real” – tha Panuçi.
Pas këtij barazimi, Shqipëria mbetet në pozitën e tretë me 13 pikë, teksa Maqedonia edhe më tej vazhdon të mbajë pozitën e pestë në tabelë me 7 pikë të tubuara.