Federata e Futbollit të Maqedonisë ka garuar me kohën për të rregulluar sa më shpejt që të ishte e mundur stadiumin “Mladost” në Strumicë, për ta përshtatur atë me kërkesat e UEFA-s, e cila kishte lënë detyra të qarta para ndeshjes me Shqipërinë.
Për ta kthyer ambientin nga një terren sportiv që ruhej me qen, në një stadium, janë bërë punime praktikisht në çdo cep të këtij impianti, i cili tashmë është zbukuruar edhe me tribuna shtesë.
Tribunat e shtuara janë ato pas portave, ndërsa edhe në tribunat ekzistuese janë vendosur ulëse të reja si dhe ndriçim i ri.
FFM ishte gati të ndryshonte çdo pjesë të impiantit, vetëm e vetëm që kjo ndeshje të zhvillohet në në Strumicë dhe jo në Shkup, aty ku me siguri numri i tifozëve shqiptarë do të ishte shumë më i madh se rreth 450 biletat që u janë rezervuar për këtë sfidë.
Ndeshja Maqedoni – Shqipëri në program është me datë 05 shtator me fillim në ora 20:45.