Shkëndija pa shumë probleme ka mundur Gostivarin në ndeshjen e 1/16 së finales, duke siguruar në këtë mënyrë një vend për në raundin tjetër të Kupës së Maqedonisë. Të besuarit e trajnerit Osmani, që sot vinin shumica nga bankina, shënuan fitore me rezultatin 2:0, me të dy golat që u shënuan në pjesën e parë.
Goli i parë ishte pjesë e Besart Abdurrahimit në minutën e 34-të. Sulmuesi “kuq e zi” pasi u lirua nga portieri vendas arriti që të vendos topin në rrjetë, edhe përkundër tentativës së futbollistëve vendas për të luajtur rolin e portierit.
Abdurrahimi luajti rol edhe në shënimin e golit të dytë në minutën e 41-të, kur mjaft mirë pasoi për Arbin Zejnullahun, i cili me një goditje të fuqishme nga brendia e zonës shënoi dhe golin e dytë në rrjetën e vendasve.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë duhet veçuar dy raste të qindpërqindta të Shkëndijës, kur Besart Abdurrahimi edhe pse i vetmuar para portës kundërshtare nuk arriti të shënojë në tentativën për të paraboluar portierin vendas, i cili doli fitues edhe disa minuta më vonë kur nga afërsia ndali goditjen e Ilas Çilafit.
Në këtë ndeshje te Shkëndija debutimin e tij e kishte edhe futbollisti i sapo ardhur, Xhelil Asani, i cili luajti deri në minutën e 53-të, kur u zëvendësua nga Ylber Beqiri.
Ndeshja e fundit e 1/16 së finales, me ç’rast do të mësojmë edhe udhëtuesin e fundit për në 1/8 e finales, zhvillohet nesër, kur në Shkup mejdanin do të ndajnë Lokomotiva dhe Vardari.