Plotë 466 milion euro është vlera e sulmit që posedon Paris Sen Zhermeni. Është ky pa dyshim një ndër sulmet më të kushtueshme në historinë e futbollit botëror, që këtë edicion pritet të luaj në rol të rëndësishëm, jo vetëm në elitën e futbollit francez, por edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Evropian. Teksa tashmë është bërë realitet transferimi më i shtrenjtë, ai i Nejmar-it për 222 milionë euro nga Barcelona, klubi parisien pritet të zyrtarizojë edhe francezin e talentuar, Kilian Mbape, i cili kërkohej edhe nga dy skuadrat gjigande të Spanjës, Real Madrid dhe Barcelona.
Çmimi i blerjes së talentit 18-vjeçar nga rradhët e Monakos, sheikëve të PSZH-së do ju kushtojë plot 180 milionë euro, shifër kjo e dyta në historinë e futbollit botëror. Pra plotë 402 milion euro për vetëm dy futbollistë, ndërsa nëse kësaj shume i shtohet edhe shuma prej 64 milion eurove, aq sa u kishte kushtuar “sheikëve” blerja e Kavanit nga rradhët e Napolit, i bie që treshja e sulmit parisien të kap vlerën e përgjithshme prej 466 milion euro.
Vërtetë një shifër kjo e frikshme, por mbi të gjitha i frikshëm edhe në bazë të cilësive dhe emrave, si Nejmar, Mbape dhe Kavani.