Sot në Nion të Zvicrës është hedhur shorti për dyshet rivale të dy raundeve të para të Ligës së Kampionëve Europian për të rinjë e njohur si “UEFA Youth League”. Skuadra U 19 e Shkëndijës si kampione e Maqedonisë, në raundin e parë do të përballet me kampionin e Sllovakisë, Nitra.
Ndeshjen e parë shpresat “kuqezi” do ta zhvillojnë si mysafir në Sllovaki më 27 shtator, teksa ndeshja e kthimit në program është më 18 tetor.
Në rast se të rinjët “kuq e zi” kalojnë në raundin e dytë, ata në këtë fazë do të përballen me fituesin e duelit ndërmjet Liepajas së Lituanisë dhe Shakhtyor Soligorsk nga Bjellorusia.
Ndërkohë skuadra kampione e Shqipërisë, Vllaznia U19 për kundërshtarë në raundin e parë do të ketë skuadrën moldave të Zimbru Çisinau, teksa në raundin e dytë shkodranët do të përballeshin me fituesin e ndeshjes UCD – Molde.