Situata mes Kukësit dhe Eminit nuk ka më asnjë dritë shprese për t’u zgjidhur me konsensus. Çështja ka përfunduar në dyert e FIFA-s dhe aty do të merret dhe vendimi se kujt i përket e drejta.
“Sport Ekspres” mëson se me shumë gjasa kjo çështje do të merret në shqyrtim brenda kësaj jave. Kukësi pretendon që ka dhe një vit kontratë, ndërsa sulmuesi ka kryer të gjitha procedurat sipas kontratës për të kaluar si futbollist i lirë pas kupave të Europës.
Në FSHF është depozituar kontrata e re në datën 20 korrik, por lojtari ka pohuar pak kohë më parë se nuk ka qenë në territorin e Shqipërisë në atë periudhë. Vendimi i marrë nga FIFA mund të apelohet dhe më pas të përfundojë në CAS, që do të kërkonte një kohë relativisht të gjatë, çka do të ishte në disfavor të lojtarit.
Gjithsesi mësohet se tashmë nuk ka kthim pas dhe kësaj çështje tetovari do që t’i shkojë deri në fund dhe sikur t’i duhet që të sakrifikojë disa muaj lojë.
Shkëndija, klubi me të cilin Emini po stërvitet i ka dhënë mbështetje 31-vjeçarit. Në krahun tjetër dhe Kukësi ka bërë padinë e tij, por duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit.
Për prishje të anshme të kontratës kampionët kërkojnë plot 300 mijë euro. Një precedent i rrallë për futbollin shqiptar, pasi është e vështirë që të gjendet një tjetër rast i tillë më parë.
Mbetet për tu parë se si do të rrjedhin gjërat, pasi duket se përpara është një ekuacion me shumë enigma.