E diela në vendin tonë është e rezervuar për ndeshjet e xhiros së parë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, ndërsa skuadrat pjesëmarrëse janë duke shfrytëzuar momentet e fundit për të përforcuar rradhët e tyre.
Një ndër skuadrat që është ringjallur në fund, pak para fillimit të sezonit të ri, është Vëllazërimi i Kërçovës, skuadër kjo e cila me kryetarin e ri, Blerim Sadiku, ditë më parë bëri tre përforcime të bujshme, ndërsa tashmë kanë siguruar edhe shërbimet e sulmuesit 24-vjeçar, Belul Nebiu.
Ky i fundit vjen nga rradhët e skuadrës së KF Xixa, skuadër kjo që garonte në Ligën e tretë dhe për të cilën skuadër kishte realizuar 27 gola.
Pikërisht aftësitë e tij realizuese bënë që drejtuesit e Vëllazërimit ta angazhojnë këtë talent në rradhët e tyre, i cili hapat e parë me futbollin i kishte bërë te Napredoku, ndërsa gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Zajazit.
Nebiu pritet që të debutojë në ndeshjen e së dielës kundër Makedonija Gjorçe Petrovit në Shkup, bashkë edhe me tre përforcimet e tre ditëve më parë, Leonard Kallaba, Florent Osmani dhe Murat Adili.