Edhe mbrëmë ishte krenari dhe kënaqësi të jesh shqiptar në Shkup. Stadiumi “Filipi i Dytë” ishte mbuluar kuqezi, tifozë nga të gjitha trevat shqiptare. Më besoni se nganjëherë s’u besoja syve të mi se Shkëndija është përballë Milanit!
Dhe këtë përjetim na e dhuroi Shkëndija e pronari i saj, Lazim Destani, të cilët gjatë rrugëtimit europian na dhuruan spektakël, duke na e sjellë Milani e madh në Shkup, Milanin që e kishim ëndërruar ta shohim “live”. Prandaj, nga zemra, faleminderit Shkëndijë dhe Lazim Destani për gjithçka!
Tash ca fjalë për suksesin historik të Skënderbeut nga Korça e Shqipërisë. Kur në stadium u përhap lajmi se Skënderbeu eliminoi Dinamon e Zagrebit dhe u kualifikua për në “Europa League”, shpërtheu festa, sikur Shkëndija të kishte shënuar gol kundër Milanit. Të gjithë tifozët filluan të brohorasin për Skënderbeun. Urime futbollistëve të Skënderbeut, që na bënë krenarë neve shqiptarëve këndej kufirit. Urime presidentit Ardjan Takaj për investimet, urime trajnerit që ka një emër dhe mbiemër shumë të mirë: Ilir dhe Daja. Dhe në fund, urime tifozërisë shqiptare, që mbështeti Skënderbeun në “Elbasan Arena”, urime të gjithë miqve të mi në Shqipëri. Shumë faleminderit!
Nga gazetari i gazetës ‘Lajm’ RESHAT IBRAHIMI