Shkëndija e Tetovës ka shënuar një fitore të lehtë në përballjen ndaj Shkupit në Çair. “Kuqezinjtë” nga Tetova shënuan një fitore identike 3:0 si kundërshtari i tyre në Liga Evropa, Milani, skuadër kjo e cila mbrëmë kishte mundur Krotonen në transfertë.
Në 45 minutat e para dominim total i Shkëndijës, por pa ndonjë mundësi të theksuar shënimi. Në minutën e 48-të i posainkuadruari në lojë Abdurahimi kishte një rast ideal për të shënuar, por parabola e tij devijohet nga Zendeli në traversë dhe kthehet në fushë.
Një minutë më vonë Suat Zendeli nuk mundi të ndalë goditjen e fuqishme të Alimit, i cili lëshoi një predhë të fortë nga distanca që u ndal në cepin e portës për epërsi 0:1.
Në minutën e 61-të Enur Totre depërtoi mjaft mirë në zonë ku u ndal nga mbrojtja vendase, me ç’rast arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë. I saktë doli të jetë Besart Ibraimi, i cili në ato momente kaloi në epërsi prej dy golash skuadrën e tij.
Mirëpo kjo nuk ishte e tëra, pasi deri në mbyllje të takimit Shkëndija realizoi edhe golin e tretë, kësaj rradhe me autorë Marjan Radeski.
Shkëndija deri në mbyllje të takimit u kanos edhe me anë të Abdurrahimit, mirëpo në të dyja tentativat e tij, Zendeli doli fitues.
Për Shkëndijën është kjo fitojra e dytë nga po aq ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri, duke mundur dy skuadrat shkupjane Vardarin (0:2) dhe Shkupin (0:3).