“infOSport.mk” drejtëpërdrejtë nga Milano
Ish kapiteni i Shkëndijës, i cili kishte ngritur trofeun e vetëm të titullit kampion me skuadrën tetovare, Nebi Mustafi ndodhet në Milano, ku për së afërmi do të ndjek ndeshjen historike të skuadrës së tij të zemrës, ndaj gjigandëve të Evropës, Milanit.
“infOSport.mk”, kontaktoi me të për të marrë një prononcim lidhur me pritjet e tij për këtë ndeshje të madhe, ku Shkëndija, sipas tij duhet të luaj pa asnjë presion, pasi pikërisht presioni më i madh është ndaj Milanit dhe milionave të shumta të harxhuara nga ana e tyre gjatë kësaj merkatoje vere.
“Kjo është arritje e madhe për klubin, ndeshje shumë madhështore, veçanërisht për Shkëndijën. Duke ditur se luhet kundër Milanit dhe luhet për kualifikim në grupe, Shkëndija nuk ka presion, duhet të tregojë më të mirën që mundet. Kurse presioni është në anën e Milanit, i cili po të dështonte, do të ishte humbje e madhe për ta. Pikërisht këtu e shoh edhe mundësinë e Shkëndisë për të shënuar rezultat pozitiv. Djemve dhe stafit ju uroj nga zemra një ndeshje madhështore, dhe nuk ka pse mos të jetë kështu. Rezultati për mua nuk është i rëndësishëm, shpresoj të jetë pozitiv” – tha enkas për “infOSport.mk” këtu nga Milano, ish kapiteni legjendarë i Shkëndijës, Nebi Mustafi.