Paraqitja bindëse përballë rivalëve të Vardarit të shtunën ka përmirësuar edhe ashtu atmosferën e shkëlqyeshme në skuadër që vjen si pasojë e një ecurie të bukur në Liga Europa.
Ekipi për të dytin vit me rradhë gjendet në fazën e “play-offit”, shkalla e fundit para grupeve. Për të hyrë aty Shkëndija ka para vetes një pengesë shumë serioze, pasi përballet me 7 herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Milanin.
“Prej kur shorti caktoi që kundërshtari ynë të jetë Milani është folur shumë për këto ndeshje dhe kjo është krejt normale. Ne jemi të kënaqur që edhe një herë kemi mundur të dalim me paraqitje të bukura në Europë, duke arritur në “play off”. Tani për Milanin nuk duhet të harxhojmë fjalë. Të gjithë e njohin këtë skuadër dhe cilësinë e tyre, pa marrë parasysh se viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Për ne kjo është një sfidë e re, mundësi e madhe për tu përballur me një ekip të fortë kundër të cilëve do të dalim për të dhënë më të mirën nga vetja. Fundi do të tregojë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë befasinë e rradhës”, shprehet mesfushori i talentuar, Ennur Totre, i cili ishte ndër më të mirët në teren të shtunën kundër Vardarit.