Pelisteri ka dalë fitues në derbin e Pelagonisë, duke mundur Pobedën në Prilep, në stadiumin “Mogila” me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Derbi i parë i Pelagonisë në kuadër të sezonit të ri futbollistik në elitën e futbollit vendor doli të jetë më efikasi në kuadër të ndeshjeve të xhiros së parë, pasi u shënuan më së shumti gola, gjithsej 3.
Ishte Ile Tripunovski, ai i cili realizoi golin e parë për Pelisterin me një gjuajtje nga distanca, teksa i rikthyeri në rradhët e Pobedës, Borçe Manevski në minutën e 50-të nga pika e bardhë solli simetri në rezultat.
Për fitoren e Pelisterit u përkujdes braziliani Lukas me golin e realizuar në minutën e 70-të, kur nga afërsia shënoi me këmbën e tij të djathtë, pasi tentativa e tij e parë me kokë ishte ndalur nga ana e portierit vendas, Taleski.