Sonte e gjithë vëmendja në futbollin botëror do të jetë e përqëndruar në Spanjë, aty ku do të zhvillohet “El Clasico” e parë e sezonit të ri futbollistik, midis Barcelonës dhe Realit të Madridit, që do të diskutojnë aktin e parë për SuperKupën e Spanjës.
Në “Kamp Nou” spektakli është i garantuar me dy nga skuadrat më të mëdha në botë. Reali vjen si kampionë në La Liga, ndërkohë që Barcelona pasi ka fituar Kupën e Mbretit në sezonin e fundit.
Skuadrat kanë ndryshuar shumë pak nga sezoni i kaluar, teksa “katalunasit” këtë herë krejt ndryshe nga miqësorja e para disa javëve në SHBA nuk do të mund të llogarisin në shërbimet e brazilianit, Nejmar, i cili u transferua te PSZH-ja.
Vendin e tij pritet ta zë Deloufeu, i cili do të i bëjë shoqëri dyshes së pazëvednësueshme, Messi-Suarez, ndërsa mesfusha do të përbëhet nga Iniesta, Rakitiç dhe Buskets.
Edhe reparti i mbrojtjes pritet të jetë ai i njëjtëi, me Vidal dhe Alba në krah dhe Pike dhe Umtiti në qendër të mbrojtjes, para portierit Ter Shtegen.
Në krahun tjetër Zinedin Zidane do të luajë me zgjedhjet e tij të zakonshme, teksa përpara do të jetë treshja BBC ndërkohë që pas tyre do të luajë Isko.
Kasemiro dhe Kros do të formojnë dyshen e mesfushës, ndërkohë që Modriç nuk do të jetë në këtë ndeshje, për shkak të një ndëshkimi në kuadër të ndeshjeve të SuperKupës.
Zidan në tre ndeshjet e fundit nuk dinë për fitore në përballjet ndaj Barcelonës, ndërsa sfida e sotshme do të jetë një rast i mirë për të ndërprerë këtë seri negative.
Ndeshja e sotme në “Kamp Nou” starton në ora 22:00, ndërkohë që ndeshja e kthimit në “Santiago Bernabeu” në program është pas tre ditëve (16 gusht).
Formacionet e mundshme: |
BARCELONA: Ter Shtegen, Vidal, Pike, Umtit, Alba, Rakitiç, Buskets, Iniesta, Messi, Luis Suarez, Deulofeu |
REAL MADRIDI: Navas, Karvahal, Ramos, Varane, Marselo, Kros, Kazemiro, Kovaçiç, Ronaldo, Benzema, Bejll |