Liga e Parë Futbollistike e Maqedonisë starton nesër me dy super përballje, që do të zhvillohen mes skuadrave tetovare dhe atyre shkupjane. Bëhet fjalë për ndeshjet, Shkëndija – Vardari, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Tetovë, dhe ndeshjen Rabotniçki – Renova, që do të zhvillohet në stadiumin e Gjorçe Petrovit në Shkup, shkruan “infOSport.mk”
Janë këto njëherit edhe dy përballjet më interesante të javës së parë, ku e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në Tetovë, në duelin midis kampionëve të Vardarit dhe nënkampionëve të Shkëndijës, skuadra këto që me mjaft sukses prezantuan vendin tonë edhe në arenën ndërkombëtare.
Që të dyja skuadrat kanë arritur në fazën “play-off” të Liga Evropa, ku i presin përballjet me gjigandët e Milanit dhe Fenerbahçes. Megjithatë për momentin duhet lënë anësh emocionet e Liga Evropa dhe këto përballje me skuadrat e njohura evrpiane, pasi sot pasdite Shkëndija dhe Vardari do të duhet të nisin një garë të re në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.
Përballja midis Shkëndijës dhe Vardarit që në xhiron e parë, posaçërisht pas një vere të suksesshme europiane është kombinimi më i mirë i mundshëm për krijimin e një spektakli në stadiumin e qytetit në Tetovë.
Publiku tetovarë pas një periudhe më të gjatë do të ketë mundësi të Shkëndijën në Tetovë, duke ditur se sezonin e kaluar 4 ndeshjet e fundit u zhvilluan pa praninë e publikut, ndërsa këtë verë tre takimet si vendas në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Liga Evropa “kuqezinjtë” i zhvilluan në Strumicë, njofton “infOSport.mk”.
E gjithë kjo është një paralajmërim për tribunat e mbushura dhe spektaklin që na pret në përballjen e sotshme, mes dy skuadrave më të mira në vendin tonë.
Jo më pak interesante pritet të jetë edhe përballja midis Rabotniçkit dhe Renovës në Shkup, ku të dyja skuadrat edhe këtë vit do të luftojnë për një vend të Evropë. Të dyja përballjet do të startojnë në ora 17:00.