Milani, një skuadër kjo që gjatë merkatos së verës harxhoi plotë 200 milion euro për transferime të futbollistëve të rinj, brenda 48 orëve kishte shitur 15 000 bileta në prag të ndeshjes së parë të fazës “play-off” që do ta zhvillojë kundër Shkëndijës me datë 17 gusht në “San Siro”.
Ishte ky një lajm që bëri senzacion nëpër mediat italiane dhe më gjërë, ndërsa senzacioni edhe më i madh vjen sot nga Maqedonia, më saktësisht nga zyrat e KF Shkëndijës, të cilët njoftojnë se brenda 24 orëve kanë shitur plotë 10000 bileta.
Është ky një rekord absolut, që vlen të përshëndetet, pasi deri më tani asnjëherë nuk kishte ndodhur që një skuadër nga Maqedonia të arrijë të shesë një numër kaq të madh biletash në një afat aq të shkurtë kohor.
Pasi të enjten dolën në shitje biletat, fluks i madh qytetarësh në rradhë kanë pritur edhe gjatë ditës së premte për tu furnizuar me biletë për spektaklin e 24 gushtit në “Telekom Arena”, e cila edhe njëherë tjetër do të jetë e stërmbushur në ndeshjet që do ti zhvillojë Shkëndija.
Rikujtojmë edhe edicionin e kaluar të Liga Evropa në ndeshjen ndërmjet Shkëndijës dhe Gentit në fazën “play-off” në stadiumin e qytetit të Shkupit të pranishëm ishin plotë 33000 tifoz, aq sa është edhe kapaciteti i këtij impianti, i cili ditë më parë priti edhe SuperKupën e Evropës ndërmjet Realit të Madridit dhe Mançester Junajtedit.