Emocione dhe spektakël pa fund kanë dhuruar Arsenali dhe Lesteri në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Premierligën angleze, ku u shënuan plotë 7 gola, shkruan “infOSport.mk”. Ishte kjo një ndeshje me shumë kthesa kur është në pyetje rezultati, që në fund u mbyll me shifrat 4:3 në favor të Arseanlit.
Përforcimi më i shtrenjtë i “topçinjëve” gjatë merkatos së verës, Aleksandre Lakazete vetëm pas dy minutave lojë kaloi në epërsi “topçinjtë”, teksa Okazaki nuk vonoi shumë dhe shënoi golin e barazimit.
Lesteri nuk u ndal këtu dhe falë qendërsulmuesit të tyre, Vardy, ata në minutën e 29-të, për herë të parë në këtë ndeshje kaluan në epërsi. Dhe kur të gjithë menduan se me rezultatin 1:2 skuadrat do ju drejtohen dhomave të xhveshjes, ashtu nuk mendoi edhe Dani Uellbek, i cili në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi për barazim të rezultatit në 2:2, njofton “infOSport.mk”.
Vardy në pjesën e dytë shënoi edhe një gol tjetër, duke kaluar sërish në epërsi Lesterin, skuadër kjo e cila u dorëzua vetëm në 10 minutëshin e fundit të takimit, kur në skenë doli dyshja rezerviste, Aron Ramzi dhe Olivie Zhiru, që me dy golat e shënuar në minutat 83 dhe 85 i siguruan fitoren Arsenalit.
Me këtë fitore dhe lojë të shfaqur në fushën e blertë, të besuarit e Arsen Venger dhanë një mesazh të fortë, se këtë vit do të jenë ndër pretendentët kryesor për titullin e kampionit, ndërsa 7 golat e shënuar dhe loja e treguar nga ana e aktorëve në “Emirates Stadium” edhe njëherë tjetër dëshmoi se Premierliga është dhe mbetet ndër kampionatet më të fuqishme në Evropë.