Barcelona është në kërkim të zëvendësuesit të brazilianit Nejmar. Njëri prej atyre futbollistëve që bënë pjesë në planet e “katalunasve” është edhe sulmuesi i Borusia Dortmundit, Osmane Dembele, për shërbimet e të cilit drejtuesit e skuadrës spanjolle kanë ofruar 120 milion euro, ofertë kjo që është refuzuar nga skuadra gjermane, që kërkon 150 milion euro.
Megjithatë një gjë e këtillë nuk i ka pëlqyer aspak sulmuesit 20-vjeçar, dëshira e të cilit është që të transferohet te Barcelona, dhe protestën e tij e ka bërë duke mos u paraqitur fare në stërvitjen e paradites së sotme, duke konfirmuar në këtë mënyrë divorcin me “milionerët”.
Lajmin për mungesën e tij në stërvitjen e paradites së sotme e ka konfirmuar edhe trajneri i Dortmundit, Bosz, i cili është shprehur: “Dembele nuk është paraqitur në stërvitje. Nuk e di se përse. Kemi provuar që ta kontaktojmë, por nuk kemi arritur që ta gjejmë”.
Por për këtë vendim të sulmuesit francez, drejtuesit gjerman kanë vendosur ta pezullojnë atë për ndeshjen e së shtunës kundër Rielasingen-Arlen, ndeshje kjo e vlefshme për kupën e Gjermanisë.